186 - Transparenca | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
Home Banner
left stars
right stars
Left Logo Right Logo
Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës

Pyetjet më të shpeshta

  1. Cili është mandati i KPK-së?

Mandati i Këshillit buron nga Kushtetuta dhe ligji, i cili e përcakton atë si një institucion plotësisht të pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin.

Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore.

Këshilli ushtron detyrat dhe përgjegjësitë si në vijim:

  • vendos për organizimin, menaxhimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të prokurorive sipas ligjit;
  • i propozon Presidentit emërimin, riemërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, si dhe siguron se të gjithë kandidatët e propozuar i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj, sipas procedurave përkatëse ligjore;
  • i propozon Presidentit emërimin dhe shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit, siguron se kandidati i propozuar i plotëson kriteret e përcaktuara me ligj dhe janë zhvilluar procedurat përkatëse;
  • vendos për emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit dhe Ligjin për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës;
  • siguron zbatimin dhe mbikëqyrë kriteret për pranim në prokurori, të cilat duhet të bëhen në pajtim me parimet e meritës, mundësive të barabarta, barazisë gjinore, mos diskriminimit dhe përfaqësimit të barabartë, në bazë të konkursit publik dhe pas verifikimit të zotësisë së veprimit të kandidatëve;
  • shpall konkursin publik për prokurorë;
  • vendos për organizimin e provimit për kandidatët për prokurorë sipas rregullores së miratuar nga Këshilli përcaktimin e numrit të prokurorëve për secilën prokurori;
  • vendos dhe mbikëqyrë zbatimin e kritereve për përbërjen etnike të juridiksionit territorial të prokurorisë përkatëse dhe për plotësimin e vendeve të lira të punës, të garantuara për anëtarë të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë;
  • vendos për numrin e prokurorëve në secilin prokurori;
  • përgatit, dërgon dhe mbikëqyrë buxhetin e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial;
  • vendos për avancimin, transferimin dhe disiplinimin e prokurorëve;
  • vendos kriteret për vlerësimin e prokurorëve, për ngarkesën me lëndë të prokurorive dhe për funksionim efikas të prokurorive si dhe kontrollon dhe garanton
  • udhëheq procesin e vlerësimit dhe shqyrton ankimet e prokurorëve për vlerësimin e tyre;
  • vendos dhe mbikëqyrë kriteret për përcaktimin e politikave, standardëve dhe udhëzimeve sa i përket trajnimit të prokurorëve dhe personelit tjetër dhe mbikëqyrjen e zbatimit të trajnimit dhe zhvillimit profesional të prokurorëve nga Akademia apo shoqata apo organizata tjera trajnuese;
  • miraton Kodin e Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga Këshilli;
  • miraton Kodin e Etikës Profesionale për prokurorë, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione, përfshirë shkarkimin nga funksioni;
  • miraton Kodin e Etikës profesionale për stafin administrativ, shqiptimin e masave disiplinore të përcaktuara me Ligjin përkatës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, shkelja e të cilit paraqet bazë për sanksione;
  • siguron që prokurorët të veprojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme gjatë kryerjes së të gjitha funksioneve prokuroriale;
  • në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit zhvillon politika dhe strategji prokuroriale për luftimin efektiv të kriminalitetit;
  • përgatit një raporti vjetor mbi veprimtaritë dhe shpenzimet e Prokurorit të Shtetit dhe të Këshillit;
  • mbikëqyrë dhe administron prokuroritë dhe personelin të saj;
  • mbikëqyrë Sekretariatin, Njësitin për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë dhe nxjerrjen e rregullave dhe rregulloreve në pajtim me kompetencat e veta;
  • përcakton procedurat për seancat dhe zhvillimin e seancave disiplinore;
  • bashkëpunon me këshillat prokuroriale të shteteve të tjera dhe organizatat përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, me kusht që të mos ndikojë në pavarësinë e punës së tij;
  • bën shpalljen e rregullave dhe rregulloreve në pajtim me ligjet për informimin publik lidhur me menaxhimin dhe zbulimin e informacionit që mbahet nga Prokurori i Shtetit;
  • bën themelimin e komisioneve, të cilat Këshilli i vlerëson si të nevojshme;
  • miraton rregulla të punës për funksionimin e Këshillit dhe komisioneve të veta dhe përzgjedhjen e atyre anëtarëve të Këshillit që zgjidhen nga kolegët e tyre, rregulla këto që janë në dispozicion të publikut;
  • nxjerr rregullore për procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe emërimit të kryeprokurorëve të prokurorive;
  • nxjerr rregullore për organizimin e brendshëm të Prokurorit të Shtetit;
  • garanton një sistem të hapur dhe të përgjegjshëm të administrimit të vendimeve të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit;
  • raporton para publikut për zbatimin e objektivave të saj të përcaktuara në mënyrë specifike dhe të bazuar në indikator të matshëm;
  • miraton aktet nënligjore në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tij, në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe
  • kryen detyra të tjera të përcaktuara në ligj.

 

  1. Si zgjedhën anëtarët e KPK-së?

Zgjedhja dhe emërimi i anëtarëve të Këshillit bazohet në perfomancën e lartë profesionale, reputacionin moral dhe integritetin personal të tyre, duke siguruar një proces të zgjedhjes të mbështetur në parimet e konkurrencës, transparencës, paanshmërisë, objektivitetit, barazisë gjinore dhe shumetnicitetit.

Këshilli shpall zgjedhjet për anëtarët prokurorë, së paku tre (3) muaj para përfundimit të mandatit të anëtarëve ekzistues. Anëtarët prokurorë të Këshillit zgjidhen me votim të fshehtë nga prokurorët e prokurorive përkatëse.

Kandidatët duhet të mos jenë të dënuar me vepër penale dhe të mos kenë ndonjë masë të shqiptuar disiplinore në tri vjetët e fundit. Prokurori i cili siguron më së shumti vota nga lista votuese do të zgjidhet anëtar i KPK-së nga prokuroria përkatëse.

Tre (3) anëtarët joprokurorë të Këshillit, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas nenit 65 (10) të Kushtetutës, zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, bazuar në një listë prej dy (2) kandidatëve për secilën pozitë të propozuar nga organet përkatëse, e që përfshin:

1. Një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës;

2. Një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës;

3. Një (1) përfaqësues nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i shoqërisë civile përzgjidhet me anë të konkursit publik të shpallur nga Kuvendi, i cili duhet të ketë përgatitje të lartë profesionale, njohuri të dëshmuara nga fusha e drejtësisë, njohuri nga fusha e të drejtave të njeriut, përvojë pune në çështjet ligjore prej pesë (5) vjetëve dhe përkrahjen e së paku pesë (5) organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë.

 

  1. Përbërja dhe mandati i tyre?

Këshilli përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, dhjetë (10) prej tyre prokurorë, tre joprokurorë. Anëtarët e Këshillit qëndrojnë në detyrë për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Këshilli përbëhet nga:

  • Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare (ex officio);
  • Shtatë (7) anëtarë prokurorë, një (1) nga çdo prokurori themelore;
  • Një (1) anëtar prokuror nga Prokuroria e Apelit;
  • Një (1) anëtar prokuror nga Prokuroria Speciale;
  • Një (1) anëtar, Avokat nga Oda e Avokatëve të Kosovës;
  • Një (1) anëtar, Profesor universitar i fakulteteve juridike dhe
  • Një (1) anëtar, përfaqësues nga shoqëria civile.

Këshilli sigurohet që përbërja e tij të reflektojë natyrën shumetnike dhe barazinë gjinore, duke përcaktuar që së paku një anëtar të jetë nga radhët e komuniteteve joshumicë dhe së paku tre (3) anëtarë të jenë nga gjinia femërore.

 

  1. Si merren vendimet e Këshillit?

Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë të votave nga anëtarët e pranishëm, përveç nëse ligji e përcakton ndryshe. Për të marrë vendim, Këshillit i duhet kuorumi, i cili arrihet nëse në takim marrin pjesë nëntë (9) anëtarë. Anëtarët e Këshillit i ushtrojnë detyrat e tyre zyrtare në mënyrë të pavarur dhe të paanshme dhe nuk mbajnë përgjegjësi penale për vendimet, mendimet dhe veprimet, brenda fushëveprimit të tyre si anëtar të Këshillit.

 

  1. Cila është procedura e zgjedhjes së Kryesuesit të KPK-së?

Këshilli nga radhët e anëtarëve të vet prokurorë, me votim të fshehtë, me 2/3 e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë zgjedh Kryesuesin dhe Zëvendëskryesuesin, me mandat tre (3) vjeçar. Zgjedhja në këto funksione nuk e zgjat mandatin e anëtarit të Këshillit.

Kryesuesi i Këshillit ka këto autorizime:

  • kryeson të gjitha takimet e Këshillit;
  • miraton rendin e ditës dhe pikat që do t’i dërgohen Këshillit për konsiderim dhe vendim;
  • përfaqëson Këshillin;
  • mbikëqyr dhe menaxhon punën e Këshillit dhe komisioneve të tij;
  • procedon buxhetin e hartuar nga Këshilli për shpenzimet e veprimeve dhe të personelit të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit;
  • paraqet raport me shkrim së paku një (1) herë në vit para Kuvendit mbi performancën, veprimet, shpenzimet dhe nevojat e Prokurorit të Shtetit;
  • Me pëlqimin e Këshillit, propozon anëtarët e komisioneve të përhershme siç ceket me këtë ligj, dhe ndërmerr detyra të tjera sipas udhëzimit të Këshillit.

Kryesuesi i Këshillit së paku një (1) herë në vit paraqet raporte publike vjetore për performancën, veprimet, kostot dhe nevojat buxhetore të sistemit prokurorial.

Organizon procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të përhershme sipas këtij ligji, duke i mundësuar Këshillit një proces transparent dhe të përgjegjshëm të propozimeve dhe emërimit të tyre.

 

  1. A kam të drejtë të bëhem anëtar i KPK-së pa qenë prokuror?

Ju mund të zgjidheni anëtar i KPK-së pa qenë prokuror, ngaqë këtë mundëson Kushtetuta dhe Ligji për Këshillin Prokurorial, sepse Këshilli duhet t’i ketë tre (3) anëtar joprokurorë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi me votim të fshehtë, sipas nenit 65 (10) të Kushtetutës, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, bazuar në një listë prej dy (2) kandidatëve për secilën pozitë të propozuar nga organet përkatëse. Këtu përfshihet:

1. një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës;

2. një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës;

3. një (1) përfaqësues nga shoqëria civile. Përfaqësuesi i shoqërisë civile përzgjidhet me anë të konkursit publik të shpallur nga Kuvendi, i cili duhet të ketë përgatitje të lartë profesionale, njohuri të dëshmuara nga fusha e drejtësisë, njohuri nga fusha e të drejtave të njeriut, përvojë pune në çështjet ligjore prej pesë (5) viteve, dhe përkrahjen e së paku pesë (5) organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë.

 

  1. Cilat janë procedurat dhe sa zgjatë procesi i trajtimit të një ankese?

Procesi i paraqitjes dhe trajtimit të ankesave ndaj prokurorëve është paraparë me Ligjin Nr. 06/L – 057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Rregulloren 05/2019 për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve. Ankesa pranohet nga autoriteti kompetent apo nga zyrtari i autorizuar nga ky autoritet, me ç’rast autoriteti kompetent e njofton menjëherë Këshillin me shkrim për pranimin e ankesës. Autoriteti kompetent e shqyrton ankesën brenda 30 ditëve. Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare autoriteti kompetent mund ta hedhë ankesën, ta refuzojë ose të kërkojë fillimin e hetimeve nga Këshilli.

 

  1. Cilat janë masat që KPK-ja mund t’i marrë ndaj prokurorëve dhe në cilat raste?

Për shkelje disiplinore, Këshilli mund t’u shqiptojnë prokurorëve një ose më shumë nga sanksionet disiplinore në vijim:

  • vërejtje jopublike me shkrim;
  • vërejtje publike me shkrim;
  • zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit;
  • transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një prokurori tjetër të nivelit më të ulët;
  • propozim për shkarkim.